EUROPE – Pjesa më e madhe e Europës është përfshirë nga temperaturat disa gradë nën zero me reshjet intensive të dëborës, mot i cili pritet të zgjasë deri javën tjetër. Si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës, qindra shkolla janë mbyllur në Britaninë e Madhe ndërsa si pasojë e ngricave janë shkaktuar shumë probleme me transportin.
Aeroporti Heathrow i Londrës ka anuluar mbi 70 fluturime. Ndërkohë në Austri si pasojë e temperaturave të ulëta dhe ngricës në pistat e aeroporteve janë anuluar 160 fluturime.
Sipas meteorologëve austriakë këto janë reshjet më të dendura të dëborës gjatë kësaj dekade. Reshjet e dendura të dëborës kanë prekur edhe Gjermaninë, Francën por duke mos kursyer as vende të Europës jugore, disa pjesë të Italisë, Spanjës dhe Ballkanit.