Tiranë, 13 gusht 2014 – Atletja e Kombëtares shqiptare Luiza Gega ka mbetur jashtë finales së kampionatit europian që nisI dje në Zyrih të Zvicrës.
E nisur nga starti i 1500 metrave në baterinë e dytë, Gega realizoi kohën 4:12.25 (larg rekordit të saj kombëtar 4:03.12 të vendosur në Pekin më 21 maj) që e pozicionoi në vijën e finishit të nëntën, një më poshtë vendit që e kualifikonte në finale.
Në baterinë ku garoi shqiptarja morën pjesë 13 atlete dhe e para u rendit atletja holandeze Sifan Hasan me kohën 4:09.55, e ndjekur nga polakja Renata Plis me 4:10.33.
“Biletën” e fundit të finales e preu atletja e përfaqësueses së Ukrainës, Natalia Prishepa, me kohën 4:11.42.
Në klasifikimin e përgjithshëm Luiza Gega zuri vendin e 11-të mes 25 konkurrenteve nga Europa.
Më e shpejta në raundin kualifikues doli holandezja Hasan. Finalja e 1500 metrave do të zhvillohet të premten në orën 19:25.
Një rezultat larg pritshmërive për Luiza Gegën, pas fazës përgatitore që bëri në Itali.
Pjesëmarrjen e fundit ndërkombëtare Gega e kishte në “World Challenge” të Pekinit, ku në 1500 metra do të fitonte medaljen e bronztë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





