TIRANE – Mungesa e prodhimit vendas në shumë sektorë dhe varësia e ekonomisë shqiptare nga importi bën që të gjithë ne të paguajmë më shtrenjtë për mallrat bazë të konsumit të përditshëm. 

Banka e Shqipërisë ka paraqitur në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të këtij viti, rezultatet e vrojtimit të realizuar nga Instituti Europian i Statistikave, në të cilin krahasohen çmimet në secilin vend anëtar, por edhe në ato kandidat, kundrejt mesatares së 27 vendeve që aderojnë në Bashkimin Europian. 

Rezultatet e vrojtimit të fundit sugjerojnë që niveli i çmimeve në Shqipëri është pothuajse 50% e nivelit të çmimeve në 27 vendet e BE-së. Ndërkohë që standardi i jetesës në vendin tonë është shumë herë më i ulët se në këto vende. Kjo duke pasur parasysh nivelin e pagave në sektorin publik dhe në atë privat. 

Sipas vrojtimit, niveli i çmimeve për grupin ushqime dhe pije joalkoolike, në Shqipëri rezulton rreth 70% e mesatares evropiane, ndërkohë që çmimet e lëndëve djegëse, pagesës së energjisë elektrike, shërbimeve të transportit, pijeve alkoolike dhe duhanit gjenden pak më lart se 50% e mesatares së çmimeve. 

Nivelin më të ulët të çmimeve e gjejmë tek grupi i shërbimeve, restorante dhe hotele me gati 40% të mesatares, ndërkohë që çmimet janë më të larta në grupin e mallrave elektroshtëpiakë, elektronikë dhe blerje mjetesh transporti, të cilat barazojnë dhe kalojnë çmimet mesatare në vendet anëtare të Bashkimit Europian. 

Pjesën më të madhe të produkteve të konsumit të përditshëm ne importojmë dhe kjo bën që çmimi i tyre të rritet dhe konsumatorët të paguajnë më shumë. Kjo është edhe arsyeja që mbi 70% e të ardhurave mujore të familjeve shqiptare shkojnë kryesisht për ushqim. 

                                                          Marrë nga Balkanweb