Europa ka shënuar një rritje dramatike të vdekjeve në fillim të pranverës së këtij viti, që kanë qenë më të lartat në Itali dhe Spanjë sipas të dhënave që janë publikuar nga Instituti Europian i Statistikave, Eurostat.
Eurostat ka krahasuar numrin e vdekjeve javore në vitin 2020 me të dhënat e vdekshmërisë nga vitet e mëparshme (mesatarja gjatë vitit 2016 deri në 2019) për 31 vendet evropiane për të cilat janë të dhëna të disponueshme, nga të cilat ka rezultuar se midis javës së 11 dhe 24 të këtij viti, janë konstatuar 237 mijë vdekje më shumë se mesatarja e të njëjtës periudhë 2016-2019.
Ndërsa ekzistojnë diferenca të rëndësishme midis vendeve dhe rajoneve, në përgjithësi javët e para të vitit kanë vlera më të ulëta sesa ato të vërejtura në vitet e mëparshme. Sidoqoftë, ndërsa në vitet e tjera vdekshmëria filloi të ulet rreth kësaj kohe të vitit, në vitin 2020 numri i vdekjeve fillon të rritet papritur në fillim të marsit, që korrespondon me javën 10. Nga java 11 (9-15 mars 2020), vlerat e vitit 2020 tejkalojnë ato të regjistruara mesatarisht në vitet e mëparshme. Ky hendek është në kulmin e tij në javën e 14 (30 mars deri më 5 prill).
Gjatë viteve të tjera, të dhënat tregojnë se vdekjet nga viruset ishin më të larta në shkurt dhe fillim marsi dhe më pas fillonin e zbrisnin nga mesi i marsit deri në maj.
Por në vitin 2020, vdekjet kumulative të regjistruara pas javës së nëntë deri në javën e 14 janë më të larta se në çdo vit tjetër të mëparshëm.
Kur krahason vitin 2020 me mesataren e katër viteve të fundit, nga java 24 ndryshimi tejkalon 227 000 vdekje. Midis javëve 11 dhe 24 (javët me diferencë pozitive midis vitit 2020 dhe mesatares së 2016-2019, ka 237 000 vdekje shtesë për 31 vendet e analizuara.
Jo të gjitha shtetet janë ndikuar njësoj. Që në fillim të marsit (java 10), Italia ka dukshëm më shumë vdekje sesa në vitet e mëparshme. Gjithashtu është vendi i parë që arrin kulmin, në javën 13. Rritja më e shpejtë e numrit të vdekjeve është në Spanjë, e cila nga java 14 regjistroi më shumë se dyfishin e vdekjeve të regjistruara në të njëjtën javë të viteve të mëparshme Në javën e 14-të, Franca dhe Zvicra shënojnë gjithashtu momentin ku filluan të bien vdekjet. Për vendet e tjera, si Belgjika, Holanda, Suedia dhe Portugalia, kulmi i rritjes së vdekjeve në 2020 arrihet në javën 15 (6-12 Prill). Për Belgjikën, pika më e lartë përfaqësoi më shumë se dyfishin e vdekjeve në krahasim me 2016-2019.
Ka vende ku rritja dhe rënia e vdekshmërisë nuk ndjek një tendencë të kurbës me rritje e rënie: Suedia ka një rritje mesatare prej 35% të numrit të vdekjeve gjatë periudhës në fund të marsit – fund majit (java 14 deri në javën 21) e cila është relativisht afër vlerës më të lartë (gati 50% rritje në javën e 15). Për Portugalinë, java 22 shfaq vlera afër kulmit të arritur në javët 14-15 (të gjitha javët janë 21% më të larta në 2020 sesa në katër vitet e fundit).
Në vendet e mbetura të BE-së modeli është më pak i rregullt dhe ndryshimet me vitet e mëparshme janë më pak të theksuara. Në disa vende, të tilla si Bullgaria ose Sllovakia, kontributi në rritjen evropiane është negativ (më pak vdekje sesa në vitet e mëparshme gjatë javëve të mbuluara).
Lidhur me Mbretërinë e Bashkuar, gjithashtu pati një rritje të theksuar të numrit të vdekjeve krahasuar me mesataren e viteve të mëparshme, duke regjistruar më shumë se dyfishin e numrit të saj të zakonshëm të vdekjeve në javët 16 dhe 17, me një kulm të një rritje prej 114% në javën e 16, dhe një kthim më gradual në numrin mesatar të vdekjeve sesa vendet e tjera, vetëm nga javët 24-25.
Në vendet e EFTA, Zvicra regjistroi një numër të konsiderueshëm të vdekjeve shtesë, duke arritur kulmin në javën e 14 me një rritje prej 44%.
Në raport me popullsinë, vdekjet në javët 9-26 kanë shënuar një rritje të ndjeshme në krahasim me mesataren e 2016-2019 në Belgjikë, Itali, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Francë, dhe më pak në Holandë. Për një pjesë të konsiderueshme të shteteve, vdekjet në raport me popullsinë nuk kanë shënuar ndryshime domethënëse, për periudhat në fjalë. (Përgatitur nga Monitor, bazuar në njoftimin e Eurostat).