Shqipëria vijon të përballet me një rënie të ndjeshme të popullsisë, duke shënuar ritmet më të larta negative në rajon. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, vendi ynë renditet ndër shtetet me tkurrjen më të madhe demografike, si pasojë e emigracionit të lartë dhe rënies së lindshmërisë.
Të dhënat tregojnë se ndryshimi i popullsisë në Shqipëri ndikohet kryesisht nga bilanci negativ migrator, ndërsa rritja natyrore (lindje minus vdekje) mbetet shumë e ulët. Kjo e dallon Shqipërinë nga disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, ndonëse po përballen me plakje të popullsisë, kanë ritme më të moderuara të rënies.
Eurostat vë në dukje se trendi është afatgjatë dhe lidhet me largimin e të rinjve drejt vendeve të BE-së, mungesën e kthimit të emigrantëve dhe uljen e numrit të lindjeve vit pas viti. Shqipëria, sipas këtyre të dhënave, po humbet popullsi më shpejt se mesatarja e rajonit dhe e disa vendeve të Europës Lindore.
Këto zhvillime pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në tregun e punës, sistemin e pensioneve dhe zhvillimin ekonomik, duke e bërë sfidë madhore për politikat publike në vitet në vijim.





