Pavarësisht rritjeve të njëpasnjëshme, Shqipëria vijon të mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në Europë, kur kjo matet sipas fuqisë blerëse. Të dhënat më të fundit të Eurostat, të publikuara për vitin 2025, tregojnë se niveli i jetesës dhe kostot në vend po e zbehin efektin e nominalit të pagës.
Aktualisht, paga minimale në Shqipëri është 40 mijë lekë, që e konvertuar në euro arrin 405 euro – një rritje krahasuar me fundin e vitit 2023, kur konvertohej në 376 euro, ndonëse shuma në lekë ka mbetur e pandryshuar që nga prilli i vitit 2023.
Sidoqoftë, paga shqiptare mbetet pas edhe krahasuar me fqinjët:
• Serbia: 619 euro
• Mali i Zi: 670 euro
• Maqedonia e Veriut: (sipas të dhënave të fundit të 2021) 360 euro
Ajo që e ul realisht vlerën e pagës shqiptare është kostoja e lartë e jetesës, e cila sipas Eurostat reflektohet në fuqinë blerëse. Grafiku i agjencisë evropiane e rendit Shqipërinë në fund të listës për fillim të vitit 2025, kur përdoret matësi PPP (Purchasing Power Parity) – që llogarit sa mallra dhe shërbime mund të blihen me një shumë të caktuar në vende të ndryshme.
Në BE, pagat minimale mujore ndryshojnë ndjeshëm:
• Më e larta: Luksemburg, 2 638 euro
• Më e ulëta: Bullgari, 551 euro
• Ndërmjet tyre janë vende si:
• Francë: 1 802 euro
• Spanjë: 1 381 euro
• Kroaci: 970 euro
Nga 10 vendet kandidate për BE, vetëm 7 kanë një pagë minimale kombëtare (Shqipëria përfshihet). Bosnja, Gjeorgjia dhe Kosova nuk e kanë të përcaktuar një të tillë.
Sipas Eurostat, analiza e fuqisë blerëse është mënyra më e drejtë për të krahasuar realisht mirëqenien ekonomike të qytetarëve, duke eliminuar efektin e kursit të këmbimit dhe nivelit të çmimeve mes vendeve. Dhe në këtë analizë, Shqipëria mbetet ende larg standardeve europiane. /Monitor