Qindra gra dhe fëmijë të hipur në kamionë u evakuuan të hënën nga zona e fundit nën kontrollin e shtetit islamik. Largimi në masë që ka zgjatur prej më shumë se një javë ka vonuar sulmin përfundimtar të koalicionit të udhëhequr nga SHBA, në copëzën e fundit të kalifatit të vetëshpallur të grupit terrorist.
Vëzhguesit në terren që ndodhen jashtë fshatit Baghuz-i thanë se evakuimi i fundit përfshinte një autokolonë me rreth 25 automjete mbushur kryesisht me pjesëtarë të familjeve të luftëtarëve të ISIS-it. Autokolona po udhëtonte drejt kampit të afërt për personat e zhvendosur, atij të al-Hol-it, që ndodhet në pjesën verilindore të Sirisë.
Sipas Organizatës Siriane për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër, rreth 1,400 persona janë larguar nga Baghuzi gjatë 24 orëve të fundit, duke përfshirë dhjetra luftëtarë të dyshuar të ISIS-it.
Numri i civilëve, si anëtarë të familjeve të militantëve të ISIS-it ashtu edhe të burgosur e skllevër, ende të fshehur në një xhep të vogël të këtij territori, ka tronditur Forcat Demokratike Siriane të mbështetura nga SHBA, të cilat kanë udhëhequr fushatën në terren kundër grupit terrorist./VOA





