Ekstradohet nga Athina drejt vendit tonë, një 32-vjeçar nga Tirana, i shpallur në kërkim pasi ishte i implikuar në skema mashtruese me TVSH-në, në fushën e tregtimit të çimentos.

Shtetasi në fjalë është Sotiraq Beçi, 32 vjeç, banues në Tiranë, ndaj të cilit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale: “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Beçi është shpallur në kërkim më datë 12.08.2016, si i implikuar në ngjarjen, në të cilën u zbulua, një skemë mashtrimi me TVSH-në, në fushën e tregtimit të çimentos, në qytetin e Korçës.

Sotiraq Beçi së bashkua me 7 biznesmenë, një inspektore e tatimeve dhe 4 kompani, u akuzuan në 2015-n për shmangien e 1.5 milionë dollarë detyrime tatimore ndaj shtetit.
 
Sipas hetimeve të prokurorisë, kjo skemë ishte krijuar nga Foto Kapurani, administrator i disa kompanive në fushën e betonit dhe hotelerisë.
 
Me anë të shit-blerjeve fiktive ndërmjet këtyre kompanive, këta shtetas me njohje mes tyre shmangnin detyrimet tatimore në shtet. Në total është shmangur tatimi për 45 mijë tonë beton i cili është shitur mes kompanive të drejtuar nga Kapurani dhe të njohurit e tij duke mos paguar tatimin.
 
Në sitën e prokurorisë kanë kaluar kompanitë Kapurani Vjara, Beci Kompani, Kapurani Trans, dhe Four Beton, kompani të cilat sipas akuzës janë përdorur në skemën e mashtrimit me TVSH.