Drejtoria e Hetimit Tatimor ka kallëzuar në prokurori 71 biznese të mëdha, të cilat janë përfshirë në aktivitetete të kundraligjshme dhe mashtrim financiar.
“Top Channel” ka mësuar se dëmi që këto biznese i kanë shkaktuar buxhetit kap vlerën e 5 milionë dollarëve dhe është zbuluar pas një periudhe tremujore kontrollesh, të përqendruara vetëm te bizneset e mëdha.
Burime nga Tatimet bëjnë të ditur se kompanitë e zbuluara janë të shtrira në të gjithë territorin e vendit. Ato kanë konsumuar vepra të ndryshme penale si fshehje e të ardhurave, kontrabandë, moslëshim kuponi, punësim i paligjshëm dhe mospagim taksash.
Por shkelja më e madhe ka qenë ajo e krijimit të një skeme masive mashtrimi me rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar, në të cilën kanë qenë të përfshirë 46 subjekte.
Sipas kallëzimit në prokurori, skema ka funksionuar përmes krijimit të kompanive fantazmë, të cilat kanë lëshuar fatura fiktive shitjeje për biznese blerëse me aktivitet real.
Këto të fundit, përmes faturave të lëshuara nga kompanitë fantazmë kanë rimbursuar TVSH-në duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.
Burimet nga Tatimet bëjnë të ditur se lufta kundër informalitetit dhe kontrollet tatimore janë përqendruar te bizneset e mëdha, të cilat kanë dhe riskun më të lartë për evazion.
/ Top Channel /