Ndonëse ishte konfirmuar prej disa ditësh, sot ka ardhur edhe njoftimi zyrtar nga klubi i Everton, që ia beson pankinën ish trajnerit të Napolit, Carlo Ancelotti.Ky i fundit u shkarkua pak ditë më parë nga napolitanët dhe pa mbushur ende javën gjeti menjëherë një tjetër pankinë për të vijuar karrierën, si për t’i treguar De Laurentiis-it se gaboi që e largoi.

Bie në sy kontrata e nënshkruar mes Ancelottit dhe Everton, pasi do ti mbajë palët të lidhura për 4 sezone e gjysmë, pra deri më 2024-ën, shenjë kjo që italianit i është besuar një projekt i rëndësishëm.

Ancelotti është transferuar në Angli bashkë e stafin e tij, por si ndihmës të parë do të ketë edhe trajnerin e përkohshëm të Everton, Duncan Ferguson, ndërsa debutimi pritet të vijë më 26 dhjetor në ndeshjen përballë Burnleyt.

Kjo është eksperienca e dytë e Ancelottit në kampionatin anglez, pasi herën e parë drejtoi Chelsean në Londër, ku arriti të fitojë edhe titullin kampion, ndërsa këtë herë duhet pranuar se objektivat e Everton nuk janë aq madhorë