Detaje të reja dalin nga arrestimi i Kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili u vendos në pranga mbrëmjen e së mërkurës (13 mars) disa orë pasi doli nga zyra e tij, nën akuzat për pastrim parash dhe korrupsion.
Gjatë kontrolleve në banesën e tij nga agjentët e BKH-së dhe SPAK, mësohet se drejtorit të ARRSH-së iu janë gjetur disa piktura me vlerë mijëra euro, si edhe një shumë e konsiderueshme parash.
Piktura e gjetura janë konsideruar si ryshfet nga SPAK, por Evis Beberi është “hequr” si artist duke pohuar se i kishte bërë vetë ai dhe se nuk ishin blerë, shkruan “Panorama”. Gjithashtu gjatë kontrolleve në banes, iu janë sekuestruar dhe një sërë sendesh personale si celularë, laptop, USB, dhe dokumente. Gjithashtu kontrolle ka pasur dhe në zyrën e tij në Autoritetin Rrugor Shqiptar.
Gjatë ditës së djeshme (13 mars) u raportua se Evis Berberi mund të kishte dhënë dorëheqje, por Policia e Shtetit ka bërë me dije se ai ka qenë në krye të detyrës, raporton gazetarja Klodiana Lala.
Ai u vendos në pranga pasi u largua nga ambientet e ARRSH-së, por nuk dihet nëse është ndaluar në banesën e tij apo në ndonjë ambient tjetër.
Evis Berberi është një ndër drejtuesit e afërt të ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikes, Belinda Balluku.
Ai u emërua në krye të ARRSH në qershor të vitit 2021, ku zëvendësoi në këtë detyrë, Ergys Vjerdhon, edhe ky i fundit nën hetim nga SPAK për dyshime se është përfshirë në afera korruptive.