Disa vende të Europës, nga Irlanda e Franca deri në Itali e Greqi, prej orësh po përballen me masa ciklonare që kanë lënë deri tani edhe viktima.

Në komunën italiane të Potencës, në jug të vendit, shkëputja e një çatie dhe rënia e saj në një palestër ku po stërviteshin një grup të rinjsh plagosi 8 prej tyre, më rëndë veçanërisht një 28-vjeçare.

Autoritetet njoftojnë se janë shtuar fenomenet ekstreme të motit, me përjetime brenda pak ditëve të shirave, borës, erërave dhe stuhive, që detyruan një ditë më parë edhe mbylljen e shkollave, parqeve e institucioneve fetare.

Në zonat franceze, vigjilenca e forcave të shpëtimit u rrit në mbi 16 rajone në jugperëndim të vendit, ndërkohë 600 persona janë evakuar. Rrebeshet e shiut shkaktuan fryrjen e lumenjve duke marrë me vete një burrë të moshuar francez.

Një tjetër i moshuar mbeti i vrarë në rrugë nga rrëzimi i një peme, episod që u përsërit por pa pasoja serioze për banorët e tjerë të Pirenejve.

Erërat e vrullshme të enjten u nisën nga Mbretëria e Bashkuar. Në Skoci ato frynë me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë, dhe shkaktuan përmbysjen e të paktën dy kamionëve që lëviznin në një autostradë të hapur.

Masa e paqëndrueshme zbriti nëpër Alpe dhe në Adriatik, ku ka formuar zona me trysni të ulët që deri të dielën do të përkthehen në stuhi, shi e dëborë në pjesën më të madhe të Greqisë.