Evropa Jugore është goditur nga vala e parë intensive e të nxehtit për këtë verë, me temperatura që kanë arritur deri në 46°C në Spanjë dhe Portugali. Ndërkohë, në disa rajone të Gjermanisë, parashikohet që temperaturat të ngjiten deri në 40°C gjatë ditëve në vijim. Kjo situatë ekstreme ka detyruar autoritetet në disa shtete të ndërmarrin masa të menjëhershme, duke lëshuar paralajmërime shëndetësore dhe duke mobilizuar brigadat e zjarrfikësve për të parandaluar përhapjen e zjarreve.

Në Portugali, një rekord i ri kombëtar për muajin qershor u regjistrua në qytetin Mora, rreth 100 kilometra në lindje të Lisbonës, ku temperatura arriti në 46.6°C. Ndërkohë, në Itali, veçanërisht në rajonin e Toskanës, pranimet në spital janë rritur me 20%, dhe autoritetet kanë këshilluar qytetarët të shmangin daljet në oraret midis 11:00 dhe 18:00.

Franca gjithashtu ka shpallur paralajmërime për valë të të nxehtit në një shkallë të paprecedentë – për herë të parë, 88% e rajoneve janë në gjendje alarmi portokalli, sipas Météo-France. Për pasojë, 200 shkolla janë mbyllur dhe qeveria ka kërkuar nga bizneset të rregullojnë oraret e punës për të mbrojtur punonjësit. Në Gjermani, autoritetet meteorologjike kanë paralajmëruar për rrezik në rritje të zjarreve pyjore për shkak të thatësisë dhe temperaturave ekstreme. Disa qytete kanë vendosur kufizime në përdorimin e ujit.

Çfarë po shkakton këtë valë të nxehti?
Ekspertët fajësojnë një fenomen të njohur si “kupola e nxehtësisë”, që ndodh kur një zonë me presion të lartë qëndron mbi një territor për ditë të tëra, duke bllokuar ajrin e freskët dhe duke krijuar një efekt “furre” mbi tokë. Ky presion i lartë pengon formimin e reve dhe shkëmbimin e ajrit, duke bërë që temperatura të rritet në mënyrë të rrezikshme.

Megjithëse shkenca ende nuk ka një qëndrim të qartë nëse këto fenomene do të bëhen më të shpeshta, shumë studime tregojnë se ngrohja globale i rrit gjasat për valë më të shpeshta dhe më intensive të të nxehtit. Evropa, aktualisht, është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me një rritje mesatare prej 2°C që nga koha para-industriale.

“Vrasësi i heshtur” dhe pasojat
Shkencëtarët i quajnë valët e të nxehtit “vrasës të heshtur” për shkak të ndikimit të tyre të madh në shëndetin publik – ato janë veçanërisht të rrezikshme për të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna. Rreziqet shëndetësore përfshijnë goditjet nga nxehtësia, dehidratimin dhe përkeqësimin e sëmundjeve kronike.

Efektet nuk ndalen vetëm te shëndeti, vala e të nxehtit po dëmton gjithashtu bujqësinë, infrastrukturën dhe po rrit rrezikun për zjarre të mëdha.

Sipas Madeleine Thompson nga Wellcome Trust, “Strategjitë e reagimit ndaj krizave klimatike po dështojnë dhe nevojitet një qasje e re – më e shpejtë, më e koordinuar dhe më parandaluese. Ne kemi mjetet dhe provat. Ajo që mungon është ndjenja e urgjencës. Duhet të veprojmë – dhe të veprojmë tani.”