Tragjedisë me 43 të vdekur, 15 të plagosur dhe mbi 600 të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, pas shembjes së urës “Morandi” në Genova, ku mbetën të vdekur edhe dy shqiptarë, i bëhet homazh jo vetëm në futboll.
Fundjavën e kaluar, atëherë kur nisi kampionati italian i Serie A, dy ndeshjet e ekipeve gjenoveze, Genoa-Milan dhe Sampdoria-Fiorentina u shtynë, njëra në fund të shtatorit dhe tjetra në fund të tetorit, në nder të viktimave.
Por këtë fundjavë, me rifillimin e Botërorit të Formulës 1, edhe skuderia Ferrari u bën homazh viktimave të asaj tragjedie, pikërisht kur do të zhvillohet edhe Çmimi i Madh i Belgjikës.
Dy “kokëkuqet” e drejtuara nga Vettel dhe Raikkonen kanë të shënuara përpara një mesazh solidariteti: stema e kalit (simbol i Ferrarit) bashkon dy pjesët e ndara të urës, e poshtë kësaj shkruhet “Në zemrat tona”.