Itali, 14 qershor 2014 – Ferrari mund të braktisë Formula 1. Lajmi i bujshëm po qarkullon orët e fundit në media të ndryshme që nxjerrin në dritë fjalët e presidentit të kokëkuqes Luca Di Montezemolo. Ideja e fundit e skuadrës nga Maranello është të largohet nga kampionati Botëror i Formula 1 për tu rikthyer sërish në vitin 2020 kur përfundon edhe akordi që lidh këtë kampionat me shoqërinë e drejtuar nga Bernie Ecclestone. Në një intervistë për të përditshmen “Wall Street”, Montezemolo theksoi se mendon seriozisht ta largojë skuadrën nga Formula një pasi sipas tij ky sport nuk po funksionon më. Madje numri 1 i Ferrarit po mendon ta regjistrojë skuadrën në kampionatin Le Mans 24 orë.
Sipas Montezemolos, arsyeja pse Formula një nuk po funksionon më është sepse njërëzit e ndjekin këtë sport për emocionet që përcjell dhe jo për efiçensën që paraqesin makinat. Bosi i Ferrarit sulmoi gjithashtu federatën ndërkombëtare të automobilizmit FIA për rregullat e reja të vendosura në këtë sport. Kjo nuk është hera e parë që Montezemolo deklaron se Ferrari do të largohet nga Botërori Formula 1 për të vënë në presion drejtuesit e këtij sporti. Megjithatë është hera e parë që bosi i skuadrës italiane deklaron se shoqëria që ai drejton do të regjistrohet në kampionatin Botëror Le Mans 24 orë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





