5 maj 2014 – Prej sezonit të ardhshëm, në Formula 1 mund të mos ketë më prova të lira mëngjesin e të premtes në prag të një çmimi të madh, një ndryshim i madh ky në traditën shumë vjeçare të këtij sporti, si pasojë e kërkesës së skuadrave për të reduktuar shpenzimet.
Ndonëse kjo masë dhe disa të tjera kanë gjetur mbështetjen e skuadrave të vogla, “Grupi Strategjik” që përfshin Ferrarin, Red Bull dhe Mercedes, ka vendosur veton në buxhet, për shkak të interesave që u dëmtohen kokave të mëdha të Formula 1.
Një tjetër propozim i hedhur mbi tryezë është zgjatja e afatit të të ashtuquajturit rregull, “garazh i mbyllur”. Aktualisht skuadrat nuk kanë të drejtë të bëjnë zëvendësime në pjesët e makinave pas provave zyrtare të së shtunës, ndërkohë që sipas propozimit më të fundit, ky rregull parashikohet të hyjë në fuqi menjëherë pas provave të lira të së premtes.
Deri në këto momente skuadrat bashkohen unanimisht në nevojën për të ulur shpenzimet në Formula 1, por janë “big-ët” e këtij sporti që janë sa pranë, aq edhe larg arritjes së konsensusit.
Nga Mercedes pretendohet se një buxhet më i vogël është favorizues për skuadrat inferiore që thjesht pretendojnë të jenë pjesë e kampionatit, por ndërkohë ka marka të mëdha si Ferrari apo McLaren që janë marka globale dhe tregohen mjaft të kujdesshme për të mbrojtur interesat brenda dhe jashtë pistave të garave.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





