BELGJIKE, 25 gusht 2013 – Kampioni në fuqi i Formula 1, Sebastian Vetel, ka fituar edhe në pistën Spa të Belgjikës, duke konsoliduar vendin e parë në renditjen e përgjithshme dhe është drejt rikonfirmimit sërish për kampion. Vetel, edhe pse nuk ka startuar i pari, ka arritur t’ia marrë vendin e parë Hamiltonin, që një ditë më parë kishte fituar “pole-position”.

Por Luis Hamilton në fund të garës nuk ka arritur dot të mbajë as vendin e dytë, pasi Fernando Alonso i Ferrarit ka bërë mrekullinë. Spanolli i kokëkuqes ka startuar nga vendi i nëntë, por që në start ka fituar 4 pozicione, ndërsa vendet e tjera i ka rikuperuar një e nga një, derisa ka parakaluar edhe Hamilton të Mercedesit. 

Ritmi i Alonsos ka qenë i mrekullueshëm, por që gjithsesi pa iu afruar dot vendit të parë, duke u mjaftuar me vendin e dytë. Në vend të tretë Hamilton, pastaj në vend të katërt Rosberg, të pestin Di Resta, i gjashti Buton, i shtati Grosjean dhe vetëm vend i tetë për Raikonen. 

Pas garës në Belgjikë, Sebastian Vettel prin dukshëm në ranglistën e pilotëve më të mirë me 197 pikë, i përcjellur nga Fernando Alonso që ka 151 pikë, kurse Leëis Hamilton mbyll pozitën e tretë me 139 pikë, i ndjekur nga Kimi Raikkonen në Lotus me 134 pikë. Duket se më shumë garë ka për vendin e dytë dhe të tretë, pasi Vetel e ka hipotekuar vendin e parë.