MALAJZI, 24 mars 2013 – Kampioni në fuqi, Sebastian Vettel, ka triumfuar në Çmimin e Madh të Malajzisë ditën e sotme duke marrë në këtë mënyrë kreun e renditjes për pilotë të Kampionatit Botëror të Automobilizmit.
Ka qenë një garë e ndarë mes tij dhe shokut të skuadrës tek skuderia Red Bull, Mark Webber, i cili në fakt dominoi në pjesën më të madhe të garës, zhvilluar në Sepang.
Vettel, i cili ishte i dyti deri afër fundit të garës, thuajse u përplas me shokun e tij të skuadrës, Mark Webber, teksa parakalimi i gjermanit ndaj australianit ishte mjaft i rrezikshëm.
Situata u shfaq e tendosur edhe në fundin e garës, kur Webber, e injoroi plotësisht shokun e tij të skuadrës dhe nuk pati as një lloj takimi qoftë edhe formal.
Vendi i tretë i takoi Lewis Hamilton, pas një urdhri të prerë të dhënë nga skuderia e Mercedesit, duke detyruar Nicko Rosberg-un, që t’i hapte krahun britanikut.
Britaniku, i cili u rendit i treti, nuk e ka harruar ende ish-skuderinë e tij të McLarenit, teksa në pit-stopin e radhës, gaboi bokset duke hyrë në ato të skuadrës britanike.
/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





