Tiranë, 25 prill 2014 – Pas publikimit të dokumentit të SHISH në emisionin "Ajsberg” të gazetarit Artur Canit ka reaguar Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Forcat e Armatosura dhe ministria e Mbrojtjes i qendrojnë deklaratës së mëparshme të dhënë nga titullarët e saj se “Nuk ekziston asnjë fakt që të provojë hamendësitë e shprehura gjatë javëve të fundit në publik. Forca ajrore disponon dokumente nga struktura të specializuara të Aleancës që monitorojnë hapsirat ajrore të Shqipërisë, të cilët konfirmojnë se nuk ka patur avion Renegat në hapësirën tonë në datën dhe kohën e cituar në media”. 

Qendrimi i FA mbështetet në verifikimet e kryera nga institucionet e specializuara vendase dhe të huaja, thuhet më tej në deklaratën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. 

“Duke ju bindur ligjit dhe vetëm ligjit, FA do të vendosë në dispozicion të Prokurorisë dhe Kuvendit të gjitha provat që vërtetojnë saktësinë e këtij qëndrimi”, – thuhet më tej në reagimin e FA.

Emisioni ‘Ajsberg’ publikoi dokumentin e SHISH ku citohet se një avion i vogël i bardhë është ulur në bazën ushtarake të Gjadrit. Në shkresë thuhet se ekzistojnë dyshime se po kryhet trafikim i lëndëve narkotike.

Ndërkohë mbrëmjen e së enjtes, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ngritjen e komisionit hetimor përtë zbardhur të vërtetën e përdorimit të bazave të ushtrisë për trafiqet e drogës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/