Forcat e Armatosura Shqiptare janë renditur të dytët në kompeticionin e rëndësishëm ndërkombëtar të quajtur “Cambrian Patrol 2023”.

Ekipi fitues i përbërë nga komandot e përzgjedhur nga Regjimentit i Operacioneve Speciale( ROS) dhe ushtarakët e batalionit të dytë të këmbësorisë së Forcës Tokësore treguan aftësi lidershipi dhe por dhe forcë fizike të jashtëzakonshme në malet Kambrian në Uells të Britanisë së Madhe duke përshkruar 65 km në këmbë,të ngarkuar me 35 kg armatim e pajime, në një terren sa të panjohur aq edhe të ashpër.

Ekipi i Forcave të Armatosura të Shqipërisë u rendit në vendin e dytë mes 37 vendeve pjesëmarrëse në stërvitjen ndërkombëtare “Cambrian Patrol 2023”, në Mbretërinë e Bashkuar duke merituar plotësisht medaljen e argjendtë. Kjo arritje erdhi si rezultat i stërvitjes, përgatitjes dhe punës disa mujore.

Aftësitë e demonstruara në “Cambrian Patrol 2023”, i bëjnë këta djem të jenë elita e FASH.

Janë vetëm pak ushtarakë shqiptarë të cilët janë mëse të përgatitur të për të mbijetuar në kufijtë ekstreme të qëndresës fizike dhe psikologjike pasi kanë përsosur aftësitë taktike si ato individuale, ekipore dhe të zgjidhjes së detyrave në grup.
Ky është një aktivitet i cili zhvillohet nga Forcat Tokësore britanike, përkatësisht nga shtabi i Brigadës së 160 të Uellsit me pjesëmarrje e mbi 160 skuadrave, nga mbi 37 shtete.

Qëllimi i garës “Exercise Cambrian Patrol 2023” është të ofrojë një trajnim të klasit botëror. Stërvitja është sfiduese ku përfshihet patrullimi i klasit botëror me qëllim për të përmirësuar aftësitë operacionale. Ajo bazohet në skenare me role të ndryshme tejet sfiduese në veprime taktike luftarake.

Kërkohet lidership, aftësi operacionale, njohje e mirë e armatimit, por edhe qëndrushmëri fizike dhe mendore.
Elementë ekstremë të kësaj stërvitjeje vlerësohen si një provë e udhëheqjeje, vetëdisipline, guximi, qëndrueshmërie fizike dhe vendosmërie.

Suksesi i arritur nga ekipi i komandove pjesë e Regjimentit të Operacioneve Speciale( ROS) dhe ushtarakët e batalionit të dytë të këmbësorisë së Forcës Tokësore u përshëndet edhe nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe atasheu ushtarak britanik pranë ambasadës së Britanisë së Madhe në vendin tonë.