Napoli barazoi 1-1 kundër Barcelonës në takimin e zhvilluar në stadiumin “Maradona”, për llogari të fazës me eliminim direkt të Champions League.

Kampionët e Italisë e panë veten në disavantazh në minutën e 60-të, pasi Robert Lewandowski shënoi një gol të shkëlqyer.

Gjjithsesi festa për katalanasit nuk zgjati shumë sepse Victor Osimhen pak para fundit arriti të vendoste ekulibrin në 1-1.

Për paraqitjen e Napolit, foli edhe fituesi i Topit të Artë, Fabio Cannavaro, i cili fajësoi mbrojtësin e Kosovës Amir Rrahmanin për golin e shënuar nga katalanasit.

“Nëse një mbrojtës e lë topin të kalojë nëpër këmbët e tij, siç bëri Rrahmani në fillim dhe Di Lorenzo më vonë, ju po vrisni efektivisht portierin tuaj. Rregulli numër një për një mbrojtës është të mos lejosh kurrë që ai top të kalojë nëpër këmbët e tua. Detyra juaj parësore është të ndaloni topin të dalë”, tha ish kampioni i Botës me Italinë në vitin 2006.

Ndeshja e kthimit mes Barcelonës dhe Napolit do të luhet më 12 mars, në stadiumin Lluís Companys Olympic, pasi “Camp Nou”, po i nënshtrohet ristrukturimit.