• Fizikania italiane Fabiola Gianotti është e para grua në krye të qendrës për studime bërthamore CERN në historinë e tij 60 vjeçare. Që nga viti 2016, ajo do të zevendësojë drejtorin e përgjithshëm, gjermanin Rolf Heuer.

 13 dhjetor 2014 –  Italiania e lindur në Romë më 29 tetor 1960 mbrojti doktoratutën në fizikën eksperimentale të grimcave elementare në 1989 në Universitetin e Milanos. Që nga viti 1994 ajo ka punuar si studiuese në CERN. Ndërkohë ajo është autore ose bashkëautore e më shumë se 500 botimeve shkencore dhe anëtare e shumë komiteteve kërkimore ndërkombëtare.

Kohët e fundit ajo merr pjesë edhe në bordin këshillimor shkencor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon. Që nga gushti 2013 ajo është edhe profesore nderi në universitetin e Edinburgut. Krahas çmimeve të shumta shkencore ajo ka marrë titullin doktor nderi nga katër universitete: Uppsala (Suedi), Lozanë (Zvicër), Montreal (Kanada) dhe Oslo (Norvegji). Viti i ardhshëm do të jetë një periudhë tranzitore, në të cilën Gianotti do të përgatitet për të marrë më 1 janar 2016 për pesë vjet drejtimin nga drejtori i përgjithshëm aktuall Rolf Heuer, gruaja e parë pas 15 drejtorësh të përgjithshëm në historinë 60-vjeçare të CERN-it. Rolf Heuer ka shprehur gëzim të dukshëm për zgjedhjen e bërë nga Këshilli. Ai është i bindur se CERN është "në duar të sigurta" te Gianotti.