Ditën e sotme ka nisur sërish aksioni i shembjes së banesave në kuadër të Rindërtimit për lagjen e re të ‘5 Majit’.

Banorët e zonës së “5 majit” preken nga projekti i ndërtimit të lagjes së re dhe ata kërkojnë dëmshpërblim dhe transparencë lidhur me projektet.

Një prej banorëve ka sjellë pranë redaksisë pamje nga kjo lagje, ku shihen makineritë që po vijojnë punën e tyre, ndërsa shtetasja dëgjohet të thotë se fadromat kanë nisur punën dy orë më herët!

Projekti për lagjen e re të 5 majit përveç godinave të banimit përfshin dhe shërbime, institucione arsimore dhe institucione publike.

Ky projekt do të zhvillohet me disa faza dhe në lagjen e re të 5 majit do të ketë më shumë se 13 mijë banorë. Në banesat e reja do të vendosen të pastrehët nga tërmeti dhe banorët, shtëpitë e të cilëve do të prishen si rrjedhoje e ndërtimit të kësaj lagje. Ata do të marrin dëmshpërblim të plotë përmes shkëmbimit me një banesë në godinat e reja me të njëjta metra 2 që kishin.

Deri më tani janë inaguruar dy objektet e para që kanë 100 apartamente. Banorëve që do u prishet shtëpia do të përfitojnë bonusin e qirasë deri në momentin që do të futen në banesat e reja. Në total janë 102 objekte që duhen prishur për të vijuar punën me projektin, 60 prej të cilave tashmë janë prishur.