|
DURRËS, 13 tetor 2014 – Fakte të reja zbardhen disa muaj pas vrasjes së bankierit Artan Santo. Një qytetar denoncon vrasësit në televizonin News 24. “I njoh vrasësit e Artan Santos”, – thotë dëshmitari që ka dijeni mbi vrasjen e bujshme që ndodhi më 26 Qershor të këtij viti. “I njoh vrasësit e bankierit Artan Santo. Kam kallëzuar në polici më 25 gusht të vitit 2014. Kam kallëzuar emrat e autorëve tek drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi. Kallëzova emrat e autorëve të Artan Santos, tregova madje dhe targën e motorit të autorëve. Kam pritur reagimin e policisë ndaj autorëve, por pas heshtjes iu drejtova një prokurori në Tiranë. Më pas iu drejtova televizionit tuaj, News24”. Realisht vrasja e Santos është mbushur plot mister. News24 ju drejtua më 3 tetor Drejtorit të Policisë Artan Didi, por nuk mori përgjigje. Televizioni iu drejtua dhe sot kreut të Policisë Didi mbi një deklaratë, dhe kreu i Policisë së Shtetit u përgjigj me një sms, “Drejtohuni në Policinë e Tiranës”. Televizioni News24 ka heshtur deri më sot për interes të hetimit, por në orën 19:00 do të thyejë heshtjen dhe do të japë disa fakte të reja rreth vrasjes së bankierit Artan Santo. /marrë nga Balkan Web/ |


