SHBA, 4 prill 2013 – Shkencëtarët thonë se mund të kenë fakte të reja për lëndën e errët, që teorikisht është substanca që e mban kozmosin të bashkuar, por që nuk është vëzhguar asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Shkencëtarët e NASA-s dhe ata të Laboratorit të Fizikës në Zvicër dhanë një konferencë të përbashkët shtypi në Washington, ku thanë se një detektor i rrezeve kozmike gjeti në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar “një gjurmë” të diçkaje, që mund të jetë lënda e errët.
Ky është një zbulim shumë i rëndësishëm në fushën e njohurive për kozmosin, sepse lënda e errët mendohet se përbën rreth çerekun e të gjithë lëndës së Universit.
Zbulimi i misterit të lëndës së errët mund t’i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë përbërjen e universit dhe në në veçanti, lëndën që i mban galaksitë të bashkuara.
Detektori 7 tonësh me vlerë 2 miliardë dollarë, u çua në hapësirë dy vjet më parë dhe ai transmetoi të dhëna në Organizatën Evropiane për Kërkime Bërthamore.





