Intervista e moderatorit Ardit Gjebrea me vrasësin Marjan Rroku është realizuar një vit më parë, në fillim të 2015-s, por është zgjedhur të transmetohet vetëm tani, pak javë pasi ekzekutori i 16-vjeçares Alda Canaj dhe nënës së saj, bëri kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm.
Ky fakt del në pah nga pjesëmarrja e ish-drejtorit të burgut të Fushë-Krujës në këtë intervistë. Arben Sulo shfaqet në një moment gjatë intervistës teksa futet në qeli në momentin që Rroku bisedonte me Gjebrean dhe e pyet atë nëse gjithçka shkon mirë apo nëse i nevojitej gjësend.
Por, Arben Sulo është liruar nga detyra si drejtor i burgut ë Fushë-Krujës në 12 nëntor të vitit 2015, fakt i konfirmuar për “Shqiptarja.com” nga Ministria e Drejtësisë.
Në fillim të vitit 2015, në muajin maj, mediat në Shqipëri kishin botuar në atë kohë një shkrim për një intervistë që Gjebrea kish realizuar në burg me një të dënuar përjetë, por pa bërë të ditur emrin e Marjan Rrokut.
Ajo që është e sigurt, është se intervista është realizuar para shkurtit. Kjo pasi në janar të 2015-s, Arben Sulos iu bë atentat me tritol pranë portit të Durrësit, ku ai mbeti i plagosur rëndë, e për muaj me radhë deri në verën e 2015-s mori mjekim të specializuar jashtë Shqipërisë.
Vetëm pak kohë më parë, në shkurt të 2016-s, Marjan Rroku ju drejtua Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për të shpallur antikushtetues vendimin me burgim të përjetshëm dhënë nga Shkalla e Parë, ndërsa Gjykata e Lartë nuk e mori në shqyrtim çështjen e tij. /Shqiptarja.com





