6 nëntor 2015 – Në listën e 33 drejtuesve të qeverive shqiptare, prej vitit 1912 deri më sot, Enver Hoxha ishte kryeministri i 22-të. Ai e mbajti këtë detyrë nga 23 tetori 1944 deri më 19 korrik 1954, plot 9 vjet, 9 muaj e 26 ditë. Në librin e tij “Historitë e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, gazetari dhe pedagogu Roland Qafoku tregon për “rivalët” e Enver Hoxhës. Diktatori përmendet për vrasjen ose shtyrjen drejt vetëflijimit të 4 kryeministrave e kërkoi vdekjen për 7 të tjerë. Panorama boton pjesë nga faktet e librit të Qafokut.

Maliq Bushati u pushkatua si kriminel lufte. Kostaq Kotta u rrëmbye në Greqi dhe vdiq nën tortura në Burgun e Burrelit. Ibrahim Biçaku u dënua në fillim me vdekje dhe pas asaj që u quajt tolerim, dënimi iu bë 17 vjet burg dhe vdiq pastrues i banjave publike. Mehmet Shehu ishte bashkëpunëtori më i afërt, pasardhës në detyrë dhe cilësohej njeriu më besnik, u gjet i vdekur në dhomën e gjumit dhe për të cilin ka dyshime të forta se është vrarë në një komplot. Janë 4 kryeministra për jetët e të cilëve, në një formë apo tjetër, akuzohet direkt Enver Hoxha. Por, prisni!

Në listën e hartuar nga Hoxha si kriminelë të luftës dhe nëpërmjet së cilës u kërkonte shteteve të huaja t’i kthenin në Shqipëri ishin edhe ish-kryeministrat: Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine, Mehdi Frashëri, Eqrem Libohova. Enver Hoxha është personazhi që gjatë ushtrimit të detyrës së kryeministrit u vranë 3 kryeministra dhe u kërkua vdekja për 7 të tjerë, pa llogaritur këtu vitet e burgut për të tjerë. Dukej se për Hoxhën viktima të sigurta ishin ata që dikur e kishin ndihmuar atë më shumë. Ibrahim Biçaku e kishte punësuar si shitës në firmën e tij “Flora” dhe Eqrem Libohova i kishte dhënë bursën për të studiuar në Francë, e futi në punë në konsullatën tonë në Bruksel dhe e punësoi në Liceun e Korçës. E megjithatë, këta të dy ishin viktimat më simbolike të Hoxhës.

/portali DurresLajm/