Zbulohen dokumentet që dëshmojnë se Komisioni i Vetingut ka nisur punën në mënyrën më të keqe të mundshme. Për thuajse 5 muaj, komisionerja Suela Zhegu ka qenë në konflikt të pastër interesi me një prej subjekteve që ka pasur nën kontroll, prokuroren Rovena Gashi.

Por kjo situatë as nuk është konstatuar dhe aq më tepër, as nuk është shmangur, duke hedhur dyshime të rënda mbi vetë punën e këtij institucioni që ka për detyrë të verifikojë gjyqtarët dhe prokurorët. Për më tepër, zyrtarë të rëndësishëm të Komisionit të Vetingut kanë tentuar të fshehin këtë shkelje të rëndë ligjore.

 

“Boldnews.al” ka siguruar dokumentet që dëshmojnë për konfliktin e interesit ndërmjet komisioneres së Vetingut, Zhegu dhe prokurores Rovena Gashi. Bëhet fjalë për një dosje gjyqësore, e cila aktualisht është në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.

Një familjar i prokurores Gashi, administrator i një subjekti ndërtues, ka kallëzuar penalisht në vitin 2012 shtetasin Idi Zhegu, bashkëshort i komisioneres Suela Zhegu, për veprën penale të “ekspertimit të rremë”. Në vitin 2014, Prokuroria e Durrësit përfundoi hetimet dhe e merr në cilësinë e të pandehurit ekspertin Idi Zhegu, duke e kaluar çështjen për gjykim. Aktualisht, çështja është në Gjykatën e Lartë.

E gjithë kjo situatë i është bërë me dije Komisionit të Pavarur të Kualifikimit-KPK nga prokurorja Rovena Gashi. Kjo e fundit kreu disa verifikime, pasi dokumentet konfidenciale të dorëzuara prej saj në Komisionin e Vetingut u publikuan abuzivisht në një portal on-line. Ky portal administrohet nga një ish-deputet i Partisë Socialiste, i cili është hetuar dhe marrë në cilësinë e të pandehurit nga prokurorja Gashi, për veprën penale të “Pastrimit të parave”.

Situata bëhet akoma më e rëndë, pasi, disa asete, të cilat ky portal ia atashon në mënyrë abuzive Rovena Gashit, në fakt provohet me dokumente se janë në pronësi të familjarit të saj, pikërisht personit që është në konflikt gjyqësor me bashkëshortin e komisioneres Suela Zhegu.

Gashi u ankua pranë Komisionit të Vetingut dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit se ajo po verifikohej prej 5 muajsh (tetor 2017-mars 2018) nga komisionerja Zhegu, në kushtet thellësisht të konfliktit të interesave.

Pas këtij ankimi, në mesin e muajit mars 2018, Zhegu dha dorëheqjen nga treshja që po verifikon prokuroren Rovena Gashi, pikërisht për shkak të konfliktit të interesit. Kërkesa e saj u pranua, ç’ka do të thotë se pretendimi për shkelje të ligjit qëndron.

Por, Komisioni i Vetingut, përveç pranimit të dorëheqjes, nuk ka kryer asnjë veprim ndaj shkeljeve ligjore të komisioneres.

Madje, këtë skandal të rëndë ligjor është mundur ta mbajë të fshehur, larg vëmendjes së publikut. Por “Boldnews.al arriti të mësojë nga burime brenda Komisionit të Vetingut se ONM ka nisur hetimin për shkeljet ligjore të komisioneres Suela Zhegu.

Pas publikimit të këtij lajmi, zyrtarë me shumë rëndësi brenda Komisionit të Vetingut kanë ndërhyrë në forma të ndryshme për të hequr lajmin, me qëllim ruajtjen e imazhit të Komisioneres, pavarësisht se rezulton në shkelje të ligjit.

Komisioni i Vetingut u tregua “shumë i ndjeshëm”, kur u zbulua se një prej komisionereve të tij, rezulton të jetë në shkelje të plotë të ligjit.

Por, Komisioni i Vetingut nuk reagoi në asnjë moment kur, dokumentet e dorëzuara nga Rovena Gashi dhe që administroheshin vetëm prej tyre, “rrodhën” në një portal on-line për thuajse dy javë radhazi. Publikimi i tyre u shoqërua me shantazh, intimidim dhe presion ndaj prokurores Gashi, e cila është gjithashtu edhe anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Marrë nga "BoldNews.al"