Në kuadër të Javës Shkencore Ndërkombëtare, që po organizon Fakulteti i Biznesit në UAMD, startoi të mërkurën konferenca shkencore “Transformimi i ekonomive: Inovacioni, Qëndrueshmëria dhe Zhvillimi i qëndrueshëm në epokën e Integrimit në BE”, ku të pranishëm ishin përfaqësues nga universitetet partnere nga Franca, Gjermania, Italia, Portugalia, Rumania, Letonia dhe Shqipëria.
Pjesëmarrja e lartë e përfaqësuesve nga universitetet evropiane në Javën Shkencore Ndërkombëtare konsiderohet nga dekani i Fakultetit të Biznesit, Llambi Prendi, një hap mjaft i rëndësishëm për fakultetin që ai drejton si dhe një faktor kyç për zhvillimin akademik dhe integrimin evropian të universitetit.
Ndërsa koordinatorja e edicionit të 15-të të konferencës shkencore ndërkombëtare, Ela Golemi, nënvizoi për “DurrësLajm” se kjo konferencë është një hap më tej për zhvillimin e debatit shkencor jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe atë rajonal e më gjerë.
Pjesë e programit të Javës Ndërkombëtare Shkencore do të jenë edhe Konferenca Studentore, ku studentët e Fakultetit të Biznesit do të prezantojnë projektet e tyre kërkimore, si dhe shumë workshop-e tematike.
M.B.