Nderime për ish-kryeministrin italian, Silvio Berlusconi. Në Arkore të Monzas, familjarët dhe miqtë po i japin lamtumirën e fundit, kavalierit, i cili ndërroi jetë dje në moshën 86-vjeccare. Katër herë kryeministri i Italisë, themeluesi i Mediaset dhe Fininvest, ish-presidenti i Milanit dhe ideatori i partisë Forca Italia, u shua të hënën pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit po organizohet një funeral shtetëror gjatë të mërkurës në Duomo të Milanos së tij të dashur. Është shpallur dhe një ditë zie kombëtare, në nderim të personazhit karizmatik që shënoi politikën dhe shtetin italian në dekadat e fundit.

Ndërkohë, jashtë vilës San Martino të familjes Berlusconi, kangjellat janë mbuluar me buqeta lulesh, flamuj italianë dhe simbole të ekipit të futbollit Milan por edhe të Monzës. “Faleminderit në përjetësi!”, lexohet në shumë prej mesazheve të lëna pranë vilës. Në funeralin shtetëror pritet të marrin pjesë të gjithë liderët dhe përfaqësuesit e partive politike në Itali, të Bashkimit Europian, por edhe të botës.