Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC) e konfirmoi të hënën, më 1 maj, se banka e madhe amerikane, First Republic, ka falimentuar. Gjiganti bankar i investimeve, JP Morgan Chase, do ta marrë përsipër tani këtë bankë.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga rregullatorët, JP Morgan Chase do t’i marrë përsipër të gjitha depozitat dhe shumicën e aksioneve të bankës First Republic.

First Republic është banka e tretë amerikane që ka falimentuar gjatë muajve të fundit, gjë që ka nxitur shqetësimet për një krize më të gjerë bankare.

Aksionet e bankës me seli në San Francisko ranë për më shumë se 75 për qind javën e kaluar pasi ajo pranoi se klientët kishin tërhequr 100 miliardë dollarë gjatë muajit mars.

Falimentimi i First Republic vjen pas kolapsit të Silicon Valley Bank (SVB) në mars dhe rënies së një huadhënësi tjetër amerikan, Signature Bank.

Në përpjekje për ta shpëtuar bankën First Republic, zyrtarët amerikanë u raportua se kishin kontaktuar gjashtë banka të ndryshme, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Jamie Dimon, shefi ekzekutiv i JP Morgan Chase tha se qeveria e kishte “ftuar” gjigantin bankar, së bashku me të tjerë, ta merrnin situatën në duar “dhe ne e bëmë”.

Ai shtoi se blerja do të sillte “përfitime modeste” për firmën dhe do të ishte pjesë “plotësuese” e firmës aktuale.

Si pjesë e marrëveshjes, FDIC do të ndajë humbjet nga huatë me JP Morgan. 84 zyrat e bankës së dështuar në tetë shtete të ndryshme do të rihapen si degë të JP Morgan Chase Bank nga 1 maji, pasi rregullatorët morën kontrollin e saj dhe ia shitën menjëherë institucionit të Wall Street.

Tërheqja e depozitave nga disa huadhënës gjatë muajve të fundit e ka detyruar Rezervën Federale, bankën qendrore të SHBA-së, të ndërhyjë me masa urgjente për t’i stabilizuar tregjet financiare.

Në mars, një grup i bankave më të mëdha të Amerikës i grumbulluan së bashku 30 miliardë dollarë për First Republic në një përpjekje për ta stabilizuar atë, por përpjekjet rezultuan të kota.

E themeluar në vitin 1985, First Republic është një huadhënëse amerikan e madhësisë së mesme, e ngjashme me Silicon Valley Bank. Për vite me radhë, ajo u ka shërbyer klientëve të pasur – paratë e të cilëve ishin në rrezik përpara se marrëveshja të shpallej pas një fundjave negociatash.

Kur Silicon Valley Bank dhe Signature falimentuan, FDIC tha se do të garantonte të gjitha depozitat për ta parandaluar një situatë ku njerëzit do të nxitonin t’i tërhiqnin paratë e tyre.

Në Evropë, gjiganti bankar Credit Suisse u ble nga rivali UBS në mars, në një marrëveshje të orkestruar nga autoritetet zvicerane.

E përderisa bankat qendrore në mbarë botën kanë ngritur dukshëm normat e interesit për ta ulur inflacionin, disa huadhënës janë vënë nën presion.

Por, situata aktuale nuk duket të jetë një përsëritje e krizës financiare së vitit 2008, që kishte çuar në pako të shumta ndihme nga qeveritë dhe një recesion ekonomik global.