Durrës, 9 maj 2014 – Një nga firmat, që përbënin krenarinë e industrisë  agroushqimore shqiptare Floryhen ka dalë në ankand si borxhli i keq ndaj tre bankave të nivelit të dytë. Kujtojmë se ndërmarrja Floryhen është nga pionierët e industrisë agroushqimore shqiptare, që daton nga viti 1993. Në fillim ishte një firmë me kapital të përzierë (Monaldi  S.P.A. dhe biznesmeni Sami Gjergji), më pas u shndërrua në një biznes lider në fushën e prodhimit të vezëve dhe mishit të shpendëve për konsum.

Z. Sami debutoi edhe si politikan i suksesshëm i së djathtës, në Partinë Demokratike në legjislaturën 2005 – 2009. Ai njihej si njeri i afërt i Presidentit Bamir Topi dhe i politikanit durrsak Gazmend Oketa. Pozicionimi me FRD-në e ekspozoi ndaj hakmarrjes fiskale të Partisë Demokratike, ndonëse kryetatimori i Durrësit ishte një ish punonjës veteran i firmës Floryhen.

Njoftimi për shitjen në ankand të kompanisë Floryhen është publikuar në disa prej të përditshmeve shqiptare (faksimilja në foton poshtë). Shoqëria përmbarimore private EPSA ka nxjerrë në ankand firmën Floryhen me vlerë fillestare ankandi prej 5. 691. 960 euro. Pasuria e nxjerrë në shitje përbëhet nga një truall me sipërfaqe 53.760 m dhe ndërtesa të ndryshme me sipërfaqe totale prej 19.439 metra. Bankat kreditore që do përfitojnë nga nxjerrja në ankand  e pasurive të patundshme të firmës Floryhen janë Raiffeisen Bank sh.a, Banca Intesa San Paolo sh.a. dhe Procredit Bank sh.a.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/