28 dhjetor 2014 – Tergestea është një nga firmat spedicionere më të famshme të porteve të Adriatikut. Për katër breza kjo kompani ishte pronë e familjes Valentini dhe konsiderohej krenaria e portit të Triestes në fushën e spediconit e transportit. Keqmenaxhimi ka bërë, që firma të krijojë në bilanc një gropë prej më së paku 4 milion eurosh. Në këtë deficit nuk llogaritet mos pagimi, që nga muaji maj e në vazhdim, i stafit tashmë të reduktuar. ENEL-i i ka prerë dritat, ndërsa Roja e Financës krahas kontrolleve të llogarive të kompanisë ka vënë nën sekuestro asetet e Tergesteas. Tashmë edhe legjenda e Portit të Triestes Tergestea e famshme nuk shpëton dot nga falimentimi.
Kjo kompani italiane ka qenë një nga pikat e pakta të kontaktit të Shqpërisë komuniste me kapitalizmin perëndimor. Anijet shqiptare nga 500 tonëshet “made in Gani Ismailati” e deri te 12 000 tonëshet Vlora apo Shkodra, kur përpunoheshin në Trieste, kishin pikë referimi Tergestean. Importet shqiptare nga gomat e automjeteve, kimikatet, makineritë e deri te izotopet radiokative (transporti i viti 1989 me anijen 700 tonëshe Sazani), kalonin nëpërmjet zyrave të Tergesteas.
Kur shteti komunist shqiptar në prag të vdekjes së Diktatorit vendosi, të hapej sadopak me perëndimin, përsëri ishte Tergestea ajo, që menaxhonte spedicionet me Linjën e trageteve Durrës – Trieste të “Adriatica Navigazione SPA”. Kujtojmë se ndërsa sot janë edhe 8 tragete në ditë, që lidhin Durrësin me Italinë, para 1991 ishin vetëm 3 tragete në muaj, që lidhnin Triesten me Durrësin. Tergestea po ashtu ishte spedicioneri, që përpunonte kamionët e ish-Parkut të Eksportit të kohës së komunizmit në bashkëpunim me të vetmin spedicioner shtetëror shqiptar, Traansshqipin. Ishte Tergestea ajo, që realizoi në tetor 1990 spedicionimin e 5 000 palë këpucëve për burra démodé, që ju falën ekujpazhit të anijes “6 Shkurti”, sepse italianëve u kushtonte më shumë t’i asgjësonin këpucët démodé, sesa tua falnin shqiptarëve.
Në atë kohë ende Shqipëria me kushtetutë nuk mund të merrte kredi e ndihma (mallra falas) nga vendet e huaja. Me hapjen e Shqipërisë Tergestea dhe ish nëpunësi i Transshqipit Ardian Shehu patën ndikim decisiv në krijimin e disa prej kapitalistëve të parë shqiptarë. Kapitalistë, që sot i kemi ndër më të pasurit e vendit, madje edhe deputetë në parlament. Mijëra e mijëra makina të përdoruara, që u importuan në Shqipëria në vitet 1991-1993 nga Triesteja, u përpunuan po ashtu nga Tergestea. Tergestea dhe firma “ Fratelli Zampa SRL” u bënë simbole të ëndërrës së shqiptarëve për të pasur në pronësi një veturë private.
Duke lënë më një anë nostalgjinë mund të themi: "I qoftë udha e lehtë edhe Tergesteas. Kjo është ekonomia e tregut. Në këtë treg edhe firma simbol, nëse keqmenaxhohen, mund të falimentojnë si një herë e një kohë e famshmja Tergestea".
PAX VOBISCUM TERGESTEA!
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





