Të mërkurën, besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë Fitër Bajramin.

Nisur nga numri i shtuar i besimtarëve, falja e Bajramit mëngjesin e ditës së nesërme do të vijë me një ndryshim të rëndësishëm në Xhaminë e Madhe të Durrësit.

“Në ndryshim nga vitet e tjera, këtë vit ne mendojmë që hapësirën brenda parmakëve të xhamisë, sallën e faljes, por edhe katin e dytë të xhamisë dhe myftinisë t’ua rezervojmë besimtareve femra posaçërisht, kurse ambienti përballë xhamisë, pra sheshi sipër galerisë “Nikolet Vasia”, do të jetë i rezervuar për besimtarët meshkuj”,- bën të ditur imami Ervin Qylafku.

Me përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, të gjithë besimtarët që agjëruan do t`i kthehen përditshmërisë së tyre, që nga dita e mërkurë.

Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para kësaj dite shpërndajnë lëmoshë dhe solidarizohen me më të varfrit, për ta festuar kështu së bashku këtë festë.

Në urimin e tij për të gjithë besimtarët, imami i Xhamisë së Madhe thekson: “I uroj të gjithë besimtarëve myslimanë, por edhe qytetarëve të Durrësit e më gjerë Gëzuar festën e Fitër Bajramit, zoti ua pranoftë sakrificën dhe adhurimin e tyre”

Falja e Bajramit do të mbahet nesër në orën 06.55.

M.B.