“Na i jep paratë që ke në shtëpi që t’i këndojmë dhe do shohësh që do të të shtohen”.

Ky ka qenë mashtrimi që tri fallxhore, banore të komunitetit rom, i kanë bërë një të moshuare në fshatin Lundër të Tiranës, duke i vjedhur paratë e pensionit të saj e të të shoqit dhe pak kursime që kishin në shtëpi.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë, ndërsa është denoncuar vetëm dje në sektorin e antikrimit ekonomik të Tiranës nga djali i së dëmtuarës, e cila nuk u kishte treguar më parë familjarëve pasi i vinte turp për atë që i kishte ndodhur.

Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se gruaja që është mashtruar është shtetasja me iniciale H. B., banore e fshatit Lundër të komunës Farkë.

Ajo ka rënë pre e mashtrimit të tri grave rome, të cilat fillimisht i kanë kërkuar t’i shohin dorën për t’i oarë fatin dhe më pas i kanë vjedhur rreth 30 mijë lekë të rinj.

Paratë e vjedhura me anë të mashtrimit kanë qenë pensionet e së dëmtuarës dhe bashkëshortit të saj, që sapo i kishin marrë, dhe një pjesë kursimesh që ata i mbanin në shtëpi.

E pyetur nga policia, gruaja e moshuar ka deklaruar se është ndier si e hipnotizuar nga tri gratë që i janë shfaqur në derë dhe nuk ka kuptuar më asgjë se çfarë po bënte.

Fillimisht ato i kanë trokitur në derë për të kërkuar lëmoshë dhe më pas i janë ofruar për t’i parë fatin në dorë.

Burimet thanë se në këtë formë mund të jenë mashtruar edhe familje të tjera, por ende nuk kanë denoncuar.