Së shpejti monitorim non-stop me kamera të pikave doganore, ndërsa skanerët do të jepen me koncension
Doganat shqiptare nuk arrijnë që të identifikojnë mallrat e falsifikuara që hyjnë në territorin shqiptar. Kjo ka qenë deklarata e drejtorit të përgjithshëm të doganave shqiptare Flamur Gjymishka gjatë analizës së punës një vjeçare të doganës së Durrësit. Sipas kreut të përgjithshëm të doganave, një nga prioritetet kryesore të doganave gjatë vitit të ri mbetet mbrojtja e markës dhe patentës, ku doganat shqiptare nuk kanë pasur rezultate konkrete. Sipas Gjymishkës ka raste kur në territorin shqiptar hyjnë mallra me risk të lartë falsifikimi përsa i përket kodit të saktë tarifor dhe deri tani në doganën e Durrësit apo dhe në doganat e tjera nuk janë evidentuar raste të bllokimit të mallrave të kësaj natyre që vijnë nga vende me risk të lartë falsifikimi. “Ky problem bëhet akoma dhe më shqetësues ka deklaruar Gjymishka, në kushtet kur këto mallra janë ndër burimet më të mëdha të financimit të krimit të organizuar”. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave ka konfirmuar gjithashtu se gjatë këtij muaji do të vendoset për herë të parë sistemi i videokamerave në të gjitha degët doganore në pikat kufitare të cilat do të monitorohen non-stop nga ana e Drejtorisë së përgjithshme të Doganave. Po kështu Gjymishka ka konfirmuar se do të realizohet përmes koncesionit funksionimi i sistemit të skanerave specialë për monitorimin e mjeteve që hyjnë dhe dalin nga pikat doganore. Duke iu referuar performancës se doganave shqiptare gjatë vitit të kaluar, Gjymishka ka theksuar se pati një performancë pozitive ku u reaklizuar 7,4 miliardë lekë më shumë të ardhura se vitin e kaluar, ku natyrisht dogana e Durrësit ka “pjesën e luanit” me 3,6 miliardë lekë. Një vëmendje të veçantë kreu i doganave i ka kushtuar dhe bashkëpunimit me biznesin, të cilin e ka konsideruar një pasuri të madhe kombëtare. Duke u ndalur të objektivat e vitit të ardhshëm Gjymishka i ka kushtuar një rëndësi specifike rolit të doganave në zbulimin e lëndëve narkotike, duke kërkuar një rol më aktiv nga ky institucion përsa i përket kësaj çështjeje. Sipas tij deri tani protagonistë në këtë luftë kanë qenë strukturat e policisë, por ka ardhur koha që dhe doganat të kenë një rol prioritar. Gjyrmishaj evidentoi vlerësimin që Organizata Botërore e Doganave i bëri Doganës Shqiptare përsa i përket kontributit të menaxhimit të kufijve. Nga ana tjetër në fjalën e tij drejtori i Doganës së Durrësit Jaçe Hysolli është ndalur në performancën ekonomike të doganës së Durrësit, duke evidentuar rritjen e të ardhurave në këtë doganë me një realizim plani prej 103%. Duke iu referuar numrit të pasagjerëve të cilët kanë lëvizur përmes portit më të madh të vendit në terminalin e pasagjerëve, Jaçe ka theksuar se ka një rritje prej 2% në krahasim me vitin e kaluar. Sipas tij në vitin 2010 përmes portit të Durrësit lëvizën 853.748 mijë pasagjerë, në një kohë që gjatë këtij viti kanë lëvizur 884.040 pasagjerë. Pasi ka prezantuar dhe tregues të tjerë ekonomikë, drejtori i Doganës së Durrësit ka vlerësuar vendimet e qeverisë përsa i përket amnistisë fiskale që ka çuar sipas tij në ulje të borxhit doganor. Duke bërë publike ndjekjen në rrugë gjyqësore nga zyra juridike të çështjeve të borxheve doganore, ku një pjesë e çështjeve kanë kaluar në gjykata, Hysolli ka deklaruar se në vitin 2011 janë ndjekur në gjykatën e shkallës së parë 65 çështje prej të cilave janë fituar 30, humbur 24 dhe janë në proces gjykimi 11 të tjera. Po kështu në Gjykatën e Apelit janë shqyrtuar 26 çështje prej të cilave janë fituar 9 dhe humbur 17 çështje. Përsa i përket Gjykatës së Lartë janë fituar 4 çështje në një kohë që janë humbur 3 të tjera.