Inxhinieri dhe topografi në bashkinë e Himarës, është arrestuar, pasi dyshohet se është i përfshirë në tjetërsimin e tokave në jug të vendit. 

Mësohet se në pranga ka përfunduar Elton marko, 41-vjeç, banues në Himarë.

Dyshohet se 41-vjeçari ka falsifikuar formularin e aktit të marrjes së tokës në pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur te persona të tjerë.

Gjithashtu janë arrestuar dhe ish-kreu i Kadastrës Klodian Troci, kryetari i Këshillit të Qarkut Bardhyl Gjika, dhe dy persona të tjerë.

Njoftimi i policisë:

Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të datës 06.11.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, për shtetasin E. M., 41 vjeç, banues në Himarë, me detyrë topograf pranë Bashkisë Himarë, pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur tek persona të tjerë.