Histori filmash është ajo e cila po përjeton së fundmi legjenda e futbollit Dejvid Bekam. Familja e tij po akuzohet nga një grua e panjohur, e cila pretendon se është nëna biologjike e vajzës së tij, Harper Seven.
Gruaja në fjalë akuzon Bekam se i ka vjedhur vezët. Për shkak të këtij incidenti, ish-ylli i Mançester Junajtid ndihet i “kërcënuar” dhe i “frikësuar” për sigurinë e familjes së tij, pasi gruaja është paraqitur në më shumë se një rast në shkollën e vajzës së tij për t’u përpjekur të flasë me të dhe i ka dërguar letra ish-futbollistit në shtëpinë ku jeton me familjen e tij, raporton BBC.
Përveç këtij rasti, Sheron Bell, gruaja në fjalë ka shkuar në shtëpinë e Bekam në Londër dhe Oxfordshire më 9 korrik dhe 9 shtator 2021, me pretendimin se ajo kishte pasur një lidhje me Dejvid, dhe se ai dhe gruaja e tij, Viktoria Bekam, i vodhën vezët.
Kjo çështje është aq serioze sa ka mbërritur në gjykata. Në një seancë përpara Gjykatës së Magjistraturës së Uestminsterit, Bell u deklarua e pafajshme për sa i përket ngacmimeve, por do të përballet me një gjyq në korrik.
“Bell ka në fakt një besim të krijuar në mendjen e saj se ajo ka qenë në një lidhje me Dejvid Bekam, dhe se Harper Bekam është fëmija i saj legjitim dhe kjo është arsyeja pse ne besojmë se ajo u paraqit në shkollën e Harper Bekam më 18 nëntor 2021, ”- tha prokurorja Arizuna Asante.
“Dejvid Bekam ndihej i frikësuar për sigurinë e familjes së tij, dhe ai besonte se kjo sjellje ishte në shënjestër dhe shqetësuese. Ai thotë se nuk e njeh të pandehurin dhe ajo nuk është nëna e fëmijëve të tij”, shtoi prokurorja.
Edhe pse Sheron nuk është e përshtatshme për t’u gjykuar, sipas avokates së saj Liza Uillson, është bërë një kërkesë që Beckham-s të thirren si dëshmitarë pasi të kthehen në Mbretërinë e Bashkuar nga pushimet.