Enea Ftoj ishte i riu i cili ndërroi jetë në Komisariatin e Korçës, duke lënë pas bashkëshorten me tre fëmijë të mitur dhe prindërit.
Për shkak të kushteve të vështira ekonomike, pas fatkeqësisë së 17 majit, bashkëshortja, Entela dhe tre fëmijët e vegjël u detyruan të largohen nga banesa e Eneas pasi prindërit e tij nuk kishin mundësi ta mbanin.
Tashmë ata flenë jashtë, ndaj Entela kërkon një shtëpi ku të strehohet bashkë me të vegjlit e saj, të cilët nuk ushqehen prej ditësh. Në apelin e saj për ndihmë, ajo ndër të tjera thotë se nëse shteti nuk merr masa do të varet bashkë me fëmijët.
‘Prej dy javësh fle së bashku me tre fëmijët jashtë. Flemë tek Pazari dhe në lulishte të qytetit.Nuk kam asnjë të ardhur. Fëmijët ka disa ditë që nuk ushqehen, askush nuk më ka ofruar ndihmë. Kërkoj një shtëpi ku të strehohem bashkë me fëmijët, në të kundërt do var veten. Policia që më vrau burrin, të na vrasë ne të katërt.”
“Tani jetoj tek gjyshja, pasi prindërit e Eneas nuk kanë për vetë mundësi ekonomike. Nëse shteti nuk merr masa për mua, unë do të varem me gjithë fëmijë. Nuk kam shpresë tjetër”, është shprehur ajo më herët.





