Një kamarier në Venecia, Itali, ka përfunduar në urgjencë, pasi është rrahur nga anëtarët e një familjeje hollandeze që kishte ardhur për të kaluar pushimet në qytetin italian.

Ngjarja është regjistruar në orët e vona të së dielës, në një nga lokalet në qendër të Venecias.

Siç raportojnë mediet e vendit fqinjë, 6 turistët, dy femra dhe katër burra, kishin marrë ushqimet dhe pijet me vete dhe tentuan të ulen në një nga lokalet në qendër.

Një nga kamarierët i ka parë dhe i ka larguar nga lokali.

Të gjashtë janë drejtuar në një tjetër bar aty pranë. Një nga kamarierët e lokalit sërish u ka kërkuar të largohen meqë ishin me ushqime me vete, por në këtë moment, njëri nga hollandezët, nën efektin e alkoolit, ka marrë një nga karriket e lokalit dhe ka goditur kamarierin.

Shembullin e tij e kanë ndjekur edhe të tjerët. Ka qenë ndërhyrja e policisë dhe shoqërimi në komisariat i turistëve hollandezë që ka sjellë normalizimin e situatës.

Kamerieri duket të qëndrojë disa ditë në shtëpi për të marrë veten, ndërsa turistët do të kalojnë pjesën e mbetur të pushimeve pas hekurave.