POGRADEC- Frika e hakmarrjes e ka detyruar familjen e 19- vjeçarit Xhensil Lipo që të largohet natën nga banesa e tyre në fshatin Çëravë të rrethit të Pogradecit. Tri ditë pas gjetjes së trupit të masakruar me shkop bejsbolli dhe gurë të 38-vjeçarit Erjon Ibi, babai i autorit të krimit ka kyçur derën e shtëpisë dhe ka ikur së bashku me pjesëtarët e familjes së tij. Ne shkuam dje tek ndërtesa dykatëshe e Detar Lipos, por dyert ishin mbyllur, po ashtu edhe marketi në pronësi të tij. Banorë të fshatit Çëravë ku dhe ndodhi ngjarja e rëndë u shprehën se familja Lipo, e ardhur kohë më parë me banim në këtë fshat është larguar nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga ana e familjes së viktimës. Mësohet se babai i të arrestuarit Xhensil Lipo, njerka (prindërit e 19-vjeçarit ishin ndarë), nusja e tij 18-vjeçare dhe dy motrat nga babai, janë transferuar në një tjetër banesë gjatë orëve të vona të natës të së premtes. Ndërkohë që adresa e tyre mbahet sekret nga policia, nga frika e një tjetër ngjarjeje të rëndë. 

Nga ana tjetër uniformat blu vijojnë të mbajnë nën mbikëqyerje edhe banesën e viktimës, pavarësisht se këta të fundit kanë deklaruar se nuk do të hakmerren. Burime konfidenciale pohuan se familjarët e autorit e konsideronin qëndrimin e tyre në banesë si të rrezikshme, madje fillimisht kishin kërkuar marrjen në mbrojtje nga policia. Një nga banorët e fshatit Çëravë, Kujtim Lame, dje pohoi në një intervistë për Gazetën se familja e Detar Lipos ishte ngujuar që nga momenti kur Xhensili u kishte treguar se kishte vrarë me gurë bashkëfshatarin Erjon Ibi, baba i dy fëmijëve. 
 

Kur është larguar nga banesa familja Lipo? 

Duket që është larguar natën. Në fakt prej momentit që Detari (babai i 19-vjeçarit të akuzuar për vrasje) mësoi ngjarjen dhe e rrëfeu atë në polici, u ngujua familjarisht. Askush nuk mund të hynte në banesën e tyre, të vetmit që kishin “lejë-hyrje” ishin hetuesit. Natën dëgjuam edhe mbylljen e qepenit të marketit të familjes Lipo. Ata u larguan se kanë pasur frikë. 
 

Dini gjë se ku kanë shkuar? 

Nuk e di. Nuk tregon njeri. Mbase shkuan në fshatin e tyre, në Leshnicë. Ajo që di me siguri, është fakti që Detari ishte traumatizuar. Të premten isha afër portës së familjes Lipo, kur Detari më tha se “nuk mund të qëndroj më këtu për shkak të opinionit të rëndë. Nuk mund t’i shikoj njerëzit në sy”. Ai më tha se djali e ka turpëruar, ndaj duhej me patjetër të largohej. Ai priti që gjykata të jepte masën e sigurisë ndaj të birit 19-vjeçar dhe u largua familjarisht nga fshati ynë. 

 

Dini gjë nëse familja Lipo është kërcënuar nga familja e viktimës Erjon Ibi? 

Jo, absolutisht jo. Ata janë njerëz shumë të mirë dhe nuk kanë reaguar fare. Por frika sidoqoftë qëndron, ndaj është larguar familja e Detar Lipos. Ai kishte frikën e vajzave, ndaj dhe e mori një vendim të tillë. Opinioni në fshat të vret shumë, askush nuk të afrohet. Pas një krimi të tillë, të gjithë të braktisin. Dhe për më tepër, kësaj i shtohet edhe frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme.