TIRANE, 19 shkurt 2013 – “Familja ime nuk është e përfshirë në historinë e Florijes". Këto fjalë ka thënë Lumije Peci në një lidhje telefonike. E pyetur për skandalin e fundit që është publikuar në media, lidhur me abuzimin seksual dhe shtatzëninë e 22-vjeçares Florije Peçi, një nga personat që i ka qëndruar pranë gjatë kohës së kurimit, Lumije Peci sqaron se, "nuk e di se kush e ka bërë një krim të tillë". Por, shtetësja kosovare Peci, në lidhje me të gjitha dyshimet për përfshirjen e familjes së saj në këtë histori, shprehet e sigurt se "familja ime nuk ka lidhje me këtë histori, është jashtë 100 për qind. Ne jemi kujdesur për Florijen".
Ndërkohë, Lumije Peci nga Kosova nuk pranon të flasë më gjatë, duke pohuar se një gjë të tillë nuk ia lejon shteti austriak, duke ngritur edhe më tej dyshimet rreth kësaj historie. Mendohet se kosovarja ka qenë personi që ka bërë denoncimin e parë lidhur me abuzimin seksual mbi 22-vjeçaren, si dhe mbi shtatzëninë e saj të dyshimtë. Rasti i Florijes u bë publik pak ditë më parë, pas denoncimit të vëllait të saj në Prokurorinë e Përgjithshme, ku thuhej se me të është abuzuar gjatë kohës që ajo ka qenë duke u kuruar në Austri. Sipas llogaritjes së mjekëve, Florije Peçi ka mbetur shtatzënë në muajin shtator, ndërkohë që nga koma ka dalë në muajin korrik dhe në Shqipëri është kthyer në tetor.
Zonja Peci, ju jeni një ndër personat që keni qëndruar afër Florije Peçit gjatë kohës së kurimit të saj në Austri. Çfarë mund të na thoni rreth asaj periudhe?
Unë do doja shumë që të flisja rreth kësaj historie, në mënyrë që të mund të jap kontributin tim në zbardhjen e saj. Por, nuk ma lejojnë dhe ma kanë ndaluar që të flas rreth kësaj historie.
Kush jua ka ndaluar që të flisni?
Ma ka ndaluar shteti austriak që të flas me mediat për këtë histori. Kjo, pasi hetimet i kanë kaluar shtetit austriak. Më kanë thënë që, mund të flas vetëm pasi të përfundojnë hetimet nga ana e autoriteteve austriake.
Nuk e di nëse jeni në dijeni të akuzave që janë hedhur mbi rrethin tuaj familjar lidhur me abuzimin ndaj Florijes. Juve, si iu përgjigjeni këtyre akuzave?
Familja ime është 100 për qind e përjashtuar nga çdo akuzë që i bëhet lidhur me abuzimin që i është bërë Florijes. Pjesëtarët e familjes sime nuk kanë lidhje fare me këtë histori. Unë jam kujdesur për Florijen që kur ka ardhur në Austri. Gjithë kohës me Florijen ka qenë motra e saj, Erida. Ne jemi të hapur si familje që të hetohemi, si dhe të bashkëpunojmë me autoritetet austriake, në mënyrë që të zbardhet e vërteta dhe të gjendet krimineli që ka bërë një gjë të tillë.





