DURRES, 10 korrik 2013 – Kosovarët edhe këtë vit në masë të madhe vazhdojnë t’i kalojnë pushimet në Shqipëri.  

Kjo për shumë arsye, qoftë për shkak tëafërsisë, shpenzimeve më të ulëta, apo edhe mikpritjes që u bëhet.

Por, një familje kosovare nuk ka kaluar aspak mirë në këtë fundjavë, pasi ka mbetur pa makinë.

Familja Zymberi kishte bërë plazh vetëm një ditë në Durrës, por të nesërmen makina e saj ishte vjedhur. 

Mimoza Zymberi ishte në makinë bashkë me djalin e saj të vogël, kur grabitësi e kishte kërcënuar me armë.

Bashkëshorti i saj, Elsadati, i cili kishte dalë me dy fëmijët e mëdhenj për të blerë gjëra ushqimore, ka deklaruar se e tërë familja është tronditur nga ky rast.

Ai është ankuar në shërbimin e policisë së Durrësit. 

Veturën e vjedhur, e tipit “Golf 5”, Elsadati ia kishte dhuruar vitin e kaluar për ditëlindje gruas së tij. Në të ndodheshin edhe disa gjëra të tjera me vlerë.

Por edhe pse i ka ndodhur kjo ngjarje, vetë Elsadat Zymberi, ka pohuar se do të kthehet përsëri në Durrës dhe se asgjë nuk do ta ndalojë që pushimet e tij t’i kalojë në qytetin tonë bregdetar.