30nentor 2015 – Trajneri i Teutës, Gugash Magani, arriti fitoren e radhës, në një kohë që për të siguruar këtë sukses, mendoi djali i tij, Arturi, i cili shënoi golin e vetëm të durrsakëve në sfidën ndaj Tërbunit. Por, disa qindra kilometra larg nga Puka luhej edhe një tjetër takim, ku mbiemri Magani la gjurmë. Pikërisht në Peqin mbrojtësi Endrien Magani, djali i madh i trajnerit, shënoi një gol në fitoren 4-3 të Shkumbinit kundër Sopotit. Natyrisht, nuk ka sesi Gashi të mos ndihet krenar për trashëgimtarët e tij, Arturin 21-vjeçar dhe Endrienin 24-vjeçar.
Pas fitores në Pukë, Artur Magani shkoi në kuotën e pesë golave me Teutën, duke justifikuar totalisht besimin që i ka dhënë babai i tij trajner. “Fituam në transfertë ndaj Tërbunit me golin tim, por meritë ka ekipi, jo vetëm unë. Ishte një fitore që na jep vazhdimësi dhe tri pikë me mjaft vlera në transfertë. Unë thjesht kam bërë detyrën time, sepse çdo sulmues duhet të shënojë.Megjithatë, dua të qëndroj me këmbë në tokë”, tha fillimisht Arturi. Ndërsa i pyetur edhe për golin që shënoi me Shkumbinin vëllai i tij, Endrieni, sulmuesi shtoi: “Është gëzim i dyfishtë. Jam i lumtur për golin e tim vëllai, por mund t’ju them që ai meriton më shumë se kaq. Endri ka potencial dhe mund të jetë një lojtar i rëndësishëm i ekipeve të Kategorisë Superiore”.
Mbrojtësi që luan edhe si mesfushor krahu te Shkumbini është i lumtur që bashkë me vëllanë e tij, Arturin, janë bërë protagonistë në një ditë për skuadrat e tyre. “Në radhë të parë më duhet të them se jam shumë i kënaqur me fitoren e arritur përballë Sopotit. Goli ishte meritë e gjithë skuadrës dhe sigurisht që emocionet ishin të mëdha për mua, pasi ishte i pari që shënoj këtë sezon. Gjithashtu, një kënaqësi të veçantë kam ndier edhe për golin e realizuar nga vëllai im, Arturi, të cilin e përgëzoj sa herë që realizon. Në rolin e vëllait të madh, i uroj shumë suksese atij dhe skuadrës ku luan, e cila drejtohet nga babai ynë. Ndjesi të tilla nuk vijnë shpesh në një familje që jeton me futbollin dhe që i përjeton akoma më shumë emocionet, duke qenë vetë protagonistë në fushë”, deklaroi Endrien Magani.
/portali DurresLajm/