Rrëshqitje dheu, që rrezikon të shkaktojë një fatkeqësi në të ardhmen. Një rrugë që cedon çdo ditë për shkak të erozionit dhe dëmtimit të bazamentit, por edhe prej mjeteve që e përshkojnë çdo ditë.

Kjo është situata në një segment të rrugës “Telha Çela”, në lagjen nr.2 të qytetit, ku familja Karanxha gdhin dhe ngrys ditët me rrezikun, që ka mbi kokë. 

“7-8 muaj më parë rrëshqiti toka, ja ku janë dhe betonet e rrugës. Rreziku na vjen nga rruga, nga mjetet e rënda që realizojnë ndërtime në këtë zonë”,- thotë zonja e shtëpisë, Hanza Karanxha.

“Kalojnë 500 makina çdo ditë. Larg o zot me ra ndonjë makinë do më shembi shtëpinë”,- thotë kryefamiljari Nazmi Karanxha për “DurrësLajm”.

Shqetësimi ngrihet edhe nga banorët e zonës.

“Te kjo rrugë kalojnë kamionë. Mund të rrëshqasë kamioni dhe të marrë në qafë njerëz”,– thotë një fqinj i familjes Karanxha.

E vetmja masë e marrë nga autoritetet është vendosja e disa barrierave metalike, që shërbejnë për të paralajmëruar drejtuesit e mjeteve. Pavarësisht se në periudhën e verës, ky aks mori një rëndësi të veçantë për shkak të bllokimit të qarkullimit në bulevardin “Epidamn” dhe spostimit të lëvizjes së mjeteve në të, askush nuk është kujtuar për ndërhyrje konkrete në terren.

Hanza Karanxha kujton vetëm një përfaqësues nga bashkia që erdhi për të parë situatën nga afër, por më pas asgjë nuk ndodhi.

Për komunitetin e zonës, ndërhyrja për forcimin e bazamentit të kësaj rruge duhet të bëhet urgjentisht.

“Të bëhet sa më shpejt dhe sa më mirë. Kjo është gjithçka kërkoj”,- thotë kryefamiljari Karanxha.

“Të bëjë bashkia murin mbajtës, siç i ka bërë në vende të tjera, ta bëjë dhe këtu”,– shton një banor.

Një shtyllë korenti është spostuar nga OSHEE, pas rrëshqitjes së ndodhur muaj më parë, ndërsa reshjet e shiut e gërryejnë vazhdimisht këtë sipërfaqe të kodrës.

M.B.