Një ditë më parë, familja Mishka në lagjen nr.15 të Durrësit është njoftuar nga IKMT se nesër iu duhet të dalin nga banesa e tyre e ndërtuar që në vitin 1991 në atë zonë, pasi do të shembet.
Në një prononcim për “DurrësLajm”, Imer Mishka tregon se pasi kanë aplikuar për t'u pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2006, në 2011-ën ka dalë VKM-ja për të legalizuar ndërtesën e tyre një katëshe.
Ai thotë së pavarësisht VKM-së, shtëpia e tyre është përjashtuar nga ky proces pas disa vitesh dhe për këtë ka trokitur në shumë dyer insitucionesh.
Kërkesa e tij është e thjeshtë, të mos i shembet banesa, në të kundërt do të ndjekë rrugën ligjore çka do t’i sillte humbje edhe shtetit sipas tij.
Për kryefamiljarin, Mersim Mishka ky vendim është tërësisht abuziv. “Ne shtëpi tjetër nuk kemi, na erdhi e papritur kjo”, thotë ai ndërsa ngre pikëpyetjen se pse është marrë ky vendim kur disponojnë dokumentat e nevojshme.





