Aktori i famshëm hollivudian Bruce Willis është diagnostikuar me demencë frontotemporale (FTD), njoftoi familja e tij. 67-vjeçari u diagnostikua me afazi, e cila shkakton vështirësi në të folur, në pranverën e vitit të kaluar, por sëmundja ka përparuar dhe atij i është dhënë një diagnozë më specifike.
Deklarata për avancimin e gjendjes së tij u nënshkrua nga gruaja e tij aktuale, Emma Heming Willis dhe ish-gruaja e tij Demi Moore, si dhe fëmijët e tij Rumer, Scout, Tallulah, Mabel dhe Evelyn.
“Që kur e shpallëm diagnozën e afazisë së Bruce në pranverën e vitit 2022, gjendja e tij ka avancuar dhe tani kemi një diagnozë më specifike: demencë frontotemporale (e njohur si FTD). Fatkeqësisht, sfidat me komunikimin janë vetëm një simptomë e sëmundjes me të cilën përballet Bruce. Edhe pse kjo është e dhimbshme, është një lehtësim që më në fund të kemi një diagnozë të qartë”, thuhet në deklaratën e familjes. NHS tha se FTD shkaktojnë probleme me sjelljen dhe gjuhën dhe ndikojnë në pjesën e përparme dhe pjesët anësore të trurit.
Demenca nuk është një sëmundje specifike, por në të vërtetë është një grup simptomash që prekin aftësitë intelektuale dhe sociale në mënyrë aq të rëndë sa të ndërhyjnë me funksionimin e përditshëm të personit.
Ekzistojnë shkaqe të ndryshme të demencave dhe sëmundja e Alzheimer-it është shkaku më i shpeshtë i tyre. Me shtimin e jetëgjatësisë së popullatës, mjekësia e sotme po përballet gjithnjë e më shumë me demencën.
Demenca ndikon në dy funksione konjitive si humbja e kujtesës bashkë me humbjen e gjykimit, ose të çrregullimit të gjuhës. Demenca të bën konfuz dhe të paaftë për të kujtuar emrat e njerëzve. Gjithashtu ju mund të përjetoni ndryshime të personalitetit dhe të sjelljes sociale. Ajo ndërhyn në jetën normale të njeriut duke e ndryshuar atë përgjithmonë. Duhet pasur parasysh se disa shkaqe të demencës janë të trajtueshme dhe të rikthyeshme.