Ka qenë e tensionuar situata para gjykatës greke ku u paraqit për masën e sigurisë Florand Shehu, 39-vjeçari i arrestuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Anisa Shehu.
Të afërmit e 31-vjeçares hodhën shishe uji dhe kafe drejt tij, ndërsa disa të tjerë tentuan ta sulmonin por vrasësi, i cili mbante veshur antiplumb është mbrojtur nga policia.
Familjarët e viktimës kanë qenë të shokuar nga deklarata që burri kishte bërë para policisë, ku tregonte se bashkëshorten e kishte vrarë për arsye xhelozie, teksa kjo e fundit po flinte gjumë në dhomën e fëmijës.
“Mbaj mend që u zgjua dhe nisi të bërtiste me të madhe. Ia mbylla gojën dhe më pas e godita sërish me thikë. Me të dy duart i mbylla gojën sepse po bërtiste. Kur ndaloi së rezistuari u ngrita dhe shkova në banjo. Hoqa rrobat dhe i hodha në kosh.”, ka thënë ai para autoriteteve.
Prindërit e Anisës kanë bërë kërkesë që të marrin dhe të kujdesen për nipin e tyre 10-vjeçar, por ky vendim pritet të merret brenda muajit shtator, për shkak se gjykatat greke nuk funksionojnë gjatë muajit gusht.







