ROME – Një ditë pas vdekjes së emigrantit shqiptar Artan Meta në faqen e hapur në rrjetin social Facebook “Artan siamo tutti con te” sheh me dhjetëra e qindra mesazhe ngushëllimi për familjen e të ndjerit. Të bën përshtypje fakti se pjesa dërrmuese e mesazheve janë në gjuhën italiane, dëshmi kjo e reputacionit mjaft të mirë që shqiptari gëzonte në komunitetin e Villasorit.

Mediat italiane kanë theksuar gjatë këtyre ditëve, që nga episodi tragjik, kur Artani mbeti i plagosur rëndë dhe deri ditën e vdekjes së tij, se shqiptari ishte një shembull për të gjithë banorët e atij komuniteti të vogël.

Si për ta përforcuar edhe më shumë këtë mendim dhe për të lënë një shenjë sado të vogël të 45 vjeçarit, që u nda nga jeta shumë shpejt, familjarët e tij kanë vendosur t’i dhurojnë organet e tij. Në këtë mënyrë Artani, që të gjithë e kujtojnë të qeshur e zemërgjerë, do të vazhdojë të bëjë mirë edhe pas vdekjes së tij. 

“Kështu do të kishte dashur edhe ai vetë”,- thanë familjarët, ndërsa dhanë lejen për këtë akt të fundit zemërgjerësie ndaj komunitetit. 

Nesër (të mërkurën) në orën 15.00 mjeku ligjor do të bëjë autopsinë e më pas trupi do t’i jepet familjes që ka vendosur ta kthejë në Shqipëri. Para nisjes komuniteti i vogël i Villasorit ka menduar të organizojë një meshë në nderim të tij, ndërkohë që në shumë nga mesazhet në Facebook mësohet se shumë persona po dhurojnë shuma të hollash për t’i ardhur në ndihmë familjes të kthejë trupin në atdhe.

Është ndoshta ky homazhi i fundit që komuniteti i një province italiane i rezervon shqiptarit, që gëzonte respektin e të gjithëve. Në fotot e Artanit, në profilin dedikuar atij në Facebook, disa prej të cilave i gjeni në fund të lajmit, shfaqet një njeri i qeshur, imazhi i një shqiptari që arriti të transmetonte në një komunitet të huaj virtytet më të mira të kombit tonë.