5 shtator 2013- Borxhet e shumta dhe sedra që nuk kishte mundësi për t’i shlyer ato kanë detyruar biznesmenin Shkëlqim Mullaj të ndërmarrë aktin ekstrem të vetëflijimit mbrëmjen e së dielës që shkoi. Përveç Policisë së Durrësit, këtë fakt e konfirmojnë edhe vetë të afërmit e 42- vjeçarit, i cili u vetëvra me një plumb në kokë brenda makinës së tij, në afërsi të sektorit “Rinia”. Të afërm të viktimës treguan për gazetën “Panorama” se 42-vjeçari që prej katër ditësh kishte shfaqur shenja depresioni dhe qëndronte i veçuar nga pjesëtarë të tjerë të familjes.
“Shkëlqimi qëndronte i mbyllur në vetvete dhe nuk fliste sikurse bënte gjithnjë. Madje, ky fakt i kishte rënë në sy dhe gruas së tij, e cila ishte shqetësuar për gjendjen e të shoqit. Vërtet ai kishte probleme e borxhe të shumta të akumuluara prej kohësh për shkak të biznesit të kromit që kishte ngritur në Bulqizë, por askujt nuk i shkoi ndërmend se ai mund të ndërmerrte aktin ekstrem, atë të vetëvrasjes. Ne jemi të sigurt se Shkëlqimi është vetëvrarë për shkak të gjendjes ekonomike të rëndë që po i sillte galeria e kromit, të cilën e kishte blerë që prej tri vitesh në Bulqizë. Edhe pse kishte hedhur para të shumta në galerinë e kromit, kjo e fundit nuk kishte nxjerrë fitime. Madje, me galerinë Shkëlqimi vetëm harxhonte, ku përveç se hodhi lekë të madh për ta blerë, vazhdonte të shpenzonte muaj pas muaji për pagat e punëtorëve, blerjen e lëndës plasëse e shpenzime të tjera”. Sipas të afërmve të tij, Shkëlqimi herë pas here merrte borxhe për të shlyer pagat e punëtorëve, por edhe që të blinte materialet e nevojshme për të punuar në galeri.
“Ai merrte para borxh dhe nuk i shlyente dot. Sedra që ai kishte bëri që të ndërmerrte këtë akt, duke u vetëvrarë. Ne jemi të sigurt se kjo është arsyeja e vetme që ai i dha fund jetës”, tregojnë të afërmit. Nga familjarët mësojmë se bisedën e fundit telefonike, vetëm 30 minuta para se të vetëvritej, Shkëlqimi e ka bërë me bashkëshorten e tij, së cilës i kishte thënë se do të kthehej shumë shpejt në shtëpi. Edhe pse i kishte thënë të kundërtën në telefon bashkëshortes, në letër Shkëlqimi kishte shkruar, pasi kishte mbyllur telefonatën me të: “Ah sikur ta dish ti se çfarë kam në plan të bëj në këto momente”.
Në letrën e lamtumirës që ai ka shkruar, e cila ishte katër-pesë faqe, Shkëlqimi ndër të tjera u kishte kërkuar ndjesë personave më të afërt të familjes, përfshirë këtu dhe bashkëshorten e tij. Nga familjarët mësohet se ai kishte shkruar gjëra familjare që vetëm të afërmit e tyre i dinin, duke cituar dhe emrat e kushërinjve të tij, të cilëve u kishte kërkuar favore herë pas here, duke u penduar dhe u kërkuar ndjesë që i kishte zhgënjyer. Për familjarët dhe të afërmit e Shkëlqimit, kjo çështje është e mbyllur, duke mos kërkuar hetim të mëtejshëm për rastin në fjalë.
/PANORAMA/
Familjarët e biznesmenit të vetëvrarë: “U shkatërrua nga borxhet e marra për kromin”
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Homazhe për Ismet Bellovën, komentatori sportiv përcillet për në banesën e fundit
Deputeti i PD, Igli Cara thirrje qytetarëve: Pjesëmarrja në protestë, domosdoshmëri!
Protesta e opozitës para Kryeministrisë, ja rrugët ku kufizohet qarkullimi
Qentë endacakë kafshojnë të miturin në Durrës





